Dëshmia e pilotit nuk bind prokurorët, kërkohet verifikim nga Interforza për lidhjet e 69-vjeçarit
Guido Andrea Guidi, piloti italian i rrëzuar në Ishëm me avionin e tij, për momentin nuk do të dalë para gjykatës për t’u njohur më ndonjë akuzë. Ai mbahet nën mbikqyrjen e zyrës së dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa burimet janë shumë të rezervuara për të treguar vendodhjen e tij.
Zyrtarisht nga Prokuroria dhe Policia nuk pranohet se ai është bashkëpunëtorë i drejtësisë. Çdo gjë që ka të bëjë me 69 – vjeçarin është sekret, pas dëshmisë së tij se kishte ardhur në Shqipëri për të trasportuar kanabis.
Deri në këto momente, Guidi akuzohet për kalim të paligjshëm të kufirit dhe shkeljen e rregullave të fluturimit. Përveç dëshmisë së pilotit, prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë tjetër që e implikon atë në trafik droge.
Në avion nuk janë gjetur gjurmë kanabisi apo edhe në zonën afër pistës së improvizuar. Pavarësisht kësaj, grupi hetimor dyshon se kemi të bëjmë me një rast të pastër trafiku.
Emrat të cilët ka përmendur piloti janë të njohur për drejtësinë shqiptare dhe atë italiane, si të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Zona ku u ul avioni është një zonë me prodhueshmeri të lartë kanabisi. Në polici dhe prokurori ka një numër të lartë procedimesh për kultivimin e lëndëve dhe për disa persona ka patur dhe procedime.
Hetuesit nuk bëjnë të ditur emrat që ka përmendur piloti, por mësohet se Interforcës i është kërkuar informacion i detajuar për një shtetas italian dhe aktivitetin e tij.
Ndërkohë, prokuroria do të ripyesë përsëri italianin pasi në deklarimet e para ai ka thënë se do merrte 200 kilogramë kanabis në rrugën e parë në këmbim të 20 mijë eurove.
Por nga kqyrja e avionit, pesha që mund të mbajë ai është gati 1 ton e 500 kilogramë. Kjo i bën prokurorët të dyshojnë se ai kishte ardhur për të marrë një sasi më të madhe kanabisi.
Tv Klan