Dështon Asambleja e Peshëngritjes
Si gjithnjë, kur ka zgjedhje në Peshëngritje ka edhe sherr. Kështu ndodhi edhe në Asamblenë e radhës Zgjedhore. Duhet të ishte fillimi i Asamblesë, por që në hyrje, grupi që përfaqësonte ish-presidentin dhe kandidatin e skualifikuar për president në këto zgjedhje, Elez Gjozën, kanë kërkuar që të jenë të pranishëm për të ndjekur punimet e kësaj Asambleje. Kjo kërkesë është hedhur poshtë nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHP-së, Edlir Memaj, i cili ka këmbëngulur që në sallë të lejohen vetëm delegatët e mandatuar.
Me nisjen e punimeve në Asamble pati debate dhe tone të larta, veçanërisht nga disa mbështetës të ish-presidentit Gjoza. Janë kërkuar arsyet pse ai u skualifikua në këtë konkurrim dhe rihedhjen në votim të lejimit të kandidaturës së tij. Në kushtet ku nuk ishte e mundur të kryhej një proces i rregullt, Asambleja e kësaj të shtune dështoi.
Kandidatja Eglantina Çuni deklaroi se duhet të bashkohet komuniteti i Peshëngritjes. Ndërsa ish-Presidenti Gjoza u shpreh i bindur se do të rikthehet në detyrën që la pak vite më parë. Elez Gjoza dha dorëheqjen nga president në Janar të 2018, pasi Federata e Peshëngritjes u përjashtua nga aktivitetet ndërkombëtare si pasojë e disa rasteve pozitivë me doping të sportistëve.
Tv Klan