Dështon Samiti i BE, Italia bllokon konkluzionet
Ashtu siç kishte paralajmëruar të dielën në takimin informal të 10 vendeve anëtarë për çështjen e emigrantëve, Italia bllokon Samitin e BE duke kërkuar që fillimisht të qartësohet situata e emigrantëve dhe roli që duhet të ketë i gjithë Unioni.
Kryeminstri Giuseppe Conte pengoi miratimin e konkluzioneve të BE, në ditën e parë të Samitit. Kreu i qeverisë italianë shpjegoi se nuk mund ta quajë të mbyllur pjesë e parë të tekstit, derisa vendet anëtarë të bien dakord për çështjen e emigrantëve.
Mediat italiane shkruajnë se Roma zyrtare pranon të hapë dyert për emigrantët vetëm në rast se edhe vendet e tjera do të bëjnë të njejtën gjë.
Sakaq, gjendja sa vjen e vështirësohet pas vendimit zyrtar të Maltës për të mbyllur portet për ardhjet e tjera.
Një veto shumë e mundshme e Italisë do të rrëzonte Shengenin, pasi plani B i parashikuar nga BE do të ishte ai i një koalicioni i vendeve që bashkohen në solidaritet për pritjen e emigrantëve. Ata që dalin kundër do të vetë përjashtohen nga zona e lëvizjes së lirë.
Klima e ndërlikuar brenda Samitit detyroi presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe atë të Komisionit Europian Jean Claude Juncker të shtyjnë konferencën për shtyp.
Për presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani, qëndrimi i Italisë është në respektim të parimeve europiane.
“Plani italian i menaxhimit të fluksit të emigrantëve është në respekt të parimeve të BE. E them këtë si president i PE, jo si italian. Të gjithë e dinë se jemi vonuar në parandalimin e emigrantëve dhe të gjithë e dinë se Italia nuk mund të lihet vetëm, ashtu si edhe Malta. Nuk mund t’i kërkojmë Gjermanisë të marrë përsipër e vetme këtë barrë”.
Përpara Samitit, kancelarja gjermane Angela Merkel, paralajmëroi se dështimi me sfidat që po përballet sot Europa rrezikon ekzistencën e vetë BE.
Tv Klan