Dështon takimi/Lu e Vlahutin: Nuk vijmë, Basha nuk përmendi variantin e Nuland
Takimi 5 palësh i thirrur nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, me ambasadorët Lu e Vlahutin, Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, për të diskutuar për Reformën në Drejtësi, ka dështuar. Ambasadorët e Lu e Vlahutin njoftuan me anë të një deklarate se nuk do të marrin pjesë.
Një ditë më parë, ata u shprehën pro pjesëmarrjes, duke saktësuar se bisedimet duhet të bazoheshin mbi propozimin hibrid të Ndihmës – Sekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland.
Sot Ambasada Amerikane, në njoftimin e shpërndarë për anulimin e takimit, sqaroi se ambasadorët e informuan Kryetarin e Kuvendit se pas deklaratës së Bashës, ata nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për diten e sotme, pasi ai nuk e përmendi propozimin hibrid.
“Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland. Nëse Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”,
përfundon njoftimi i Ambasadës.
Takimi ishte parashikuar për t’u mbajtur në orën 16:00. Teksa dy ambasadorët e kanë shprehur hapur qëndrimin, nga zyra e Kryeministrit Rama dhe nga Partia Demokratike nuk ka patur konfirmim zyrtar për pjesëmarrjen apo për refuzimin e tryezës.
Pavarësisht mungesës së deklarave nga dy selitë, mungesa e dy ambasadorëve do ta bënte të panevojshme këtë tryezë, pasi ftesa e Kryeparlamentarit ishte ajo e një takimi 5 palësh, për të gjetur zgjidhjen për ngërçin e Reformës.
Tv Klan