Plagoset në pritë 24-vjeçari në Shkodër


Plagoset në pritë 24-vjeçari në Shkodër

12:32 09/10/2021

Dyshohet se ngjarja ka motive hasmërie

Një 24-vjeçar është plagosur në një pritë me armë zjarri mëngjesin e së shtunës në fshatin Mushan të Shkodrës. Siç duket nga pamjet, i riu Isak Mehmedaj ka qenë duke udhëtuar me këtë makinë tip fuoristradë kur ndaj tij është qëlluar disa herë.

Për fat të mirë, Mehmedaj ka marrë vetëm një plumb në bark dhe sipas policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Në një deklaratë paraprake të dhënë përpara uniformave blu, 24-vjeçari ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush e ka qëlluar.

“Nuk e pashë kush hapi zjarr ndaj meje”, kanë qenë fjalët e pakta që i riu u ka thënë hetuesve. Sipas të njëjtave burime Mehmedaj është shprehur se autori hapi zjarr në momentin që po hidhte mbeturinat.

Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta të policisë që kanë bërë rrethimin e zonës me qëllim ndalimin e autorëve. Burime nga grupi hetimor thanë se dyshojnë për motive hasmërie.

Kjo pasi 2 kushërinj të 24-vjeçarit janë akuzuar për ekzekutimin e Ritvan Ramazanit më 28 Nëntor 2020. Për këtë ngjarje gjykATA E SHKODRËS ka vendosur masën arrest me burg për Hydajet Mehmeti që së bashku me 2 persona të tjerë mori pjesë në krim.

Tv Klan






Të ngjashme