Detaje të reja për Valbona Berishën, shqiptaren që iu bashkua ISIS
Mediat italiane kanë zbuluar detaje të reja për shqiptaren Valbona Berisha, që nga një shtëpiake u kthye në një luftëtare të ISIS në Siri. Gazeta “Il Giorno” hedh dritë mbi rrugën që ka ndjekur 34 – vjeçarja, e cila braktisi familjen dhe bashkë me djalin 6 – vjeçar Alvin iu bashkua Shtetit Islamik në Dhjetor të vitit 2014.
Ishin Shefqet Krasniqi, imami radikal i xhamisë së Prishtinës, tashmë i arrestuar dhe predikuesi nga Maqedonia Omer Bajrami, Imam i xhamisë së Shkupit edhe ky në pranga, ata që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në radikalizimin e shqiptares.
Në kompjuterin e saj hetuesit gjetën video të shumta dhe filmime nga predikimet e dy imamëve ekstremistë. Ajo i ka kontaktuar ata online duke marrë udhëzime për t’u arratisur drejt Sirisë. Gazeta sjell edhe rrëfimin e Irma Berishës, kusherirës së saj, të cilës Valbona i kishte rrëfyer se do ta braktiste të shoqin, pasi ai e dhunote dhe do të ikte në Siri për të ndihmuar kauzën duke punuar në spital.
E vetmja e dhënë në 2 vitet e fundit ishte dëshmia e një gruaje të kthyer nga Siria që konfirmonte se ata ishin gjallë dhe se i vogli kërkonte vazhdimisht të atin Afrimin. Tashmë Italia ka nxjerrë një urdhër ndërkombëtar arresti për 34 – vjeçaren shqiptare, të akuzuar për nxitje të terrorizmit.
Tv Klan