Detajet e vrasjes së Cukut, Ish –drejtori i policisë u përlesh me atentatorët


Detajet e vrasjes së Cukut, Ish –drejtori i policisë u përlesh me atentatorët

15:36 09/04/2017 https://youtu.be/S1FiF_4bz54

Dyshimet e policisë janë se atentatori i parë, nuk ka mundur ta vrasë Ish -drejtorin e policisë së Vlorës, pasi ka pasur një armë të një kalibri të vogël 7.65 mm.

E ka qëlluar 5 herë, por Artan Cuku i është kundërvënë.

Në këtë moment besohet se ka ndërhyrë atentatori i dytë, i cili qëndronte jashtë pallatit. Ai është afruar dhe ka qëlluar me një armë zjarri të kalibrit 9 mm.

Njëri nga plumbat e ka kapur në kokë, 4 të tjerë në trup. Ndërsa dy kanë përfunduar në muret e pallatit, siç shihet në këto pamje.

Cuku ka kërkuar ndihmë dhe thirrje e tij janë dëgjuar nga bashkëshortja, e cila ka mbërritur aty, kur ish- efektivi i policisë ishte në momentet e fundit të jetës.

Kjo është dinamika e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e të shtunës, sipas të dhënave të para të grupit hetimor.

42 –vjeçari sapo ishte duke u kthyer pas një kafeje me bashkëshorten. Ajo ishte ngjitur në apartamentin e tyre, ndërsa ai kishte ndaluar në një market të pallatit, për të blerë disa artikuj për shtëpinë.

Njëri prej atentatorëve besohet të jetë parë nga bashkëshortja e të ndjerit. Po ashtu edhe nga administratorja e pallatit.

Administratorja është afruar dhe e ka pyetur se çfarë kërkonte dhe ai është përgjigjur se po priste te merrte çelësat e një shtëpie me qira.

Disa banorë besojnë se kanë parë edhe atentatorin tjetër.

Të paktën njeri prej tyre e ka pyetur nëse mund ta ndihmonte dhe ai i është përgjigjur se priste disa të afërm.

Sipas dëshmitareve, që të dy flisnin në dialektin e veriut.

Pas krimit ata janë larguar me një motor dhe kanë lënë në vendin e ngjarjes një biçikletë, në të cilën policia beson se mund të gjejë gjurmë të autorëve.

Tv Klan






Të ngjashme