Kufiri detar, Dendias refuzon Ramën


Kufiri detar, Dendias refuzon Ramën

14:08 19/09/2020

“Zgjerimi me 12 milje nuk i nënshtrohet miratimit nga palë të treta”

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka folur në një intervistë për mediat greke, për synimin e Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në detin Jon, një e drejtë e quajti ai, që nuk ka pse t’i nënshtrohet miratimit nga një pale e tretë.

“Qëllimi ynë është përcaktimi gradual i kufijve, gjithnjë në kornizat e Ligjit Ndërkombëtar, në konsultë të plotë atje ku është e mundur me fqinjët tanë. Pas dy marrëveshjeve me Italinë dhe me Egjiptin, situata është e favorshme që Greqia të ndërmarrë hapa të tjerë. Shërbimet përkatëse në Ministrinë e Jashtme po shqyrtojnë lëvizjet e duhura, për zgjerimin e ujërave territorialë të Greqisë, deri në 12 milje në Jon fillimisht, ndërkohë që po bëhen përgatitje për zonat e tjera. Është ushtrim i një të drejte ekskluzive që i njihet shteteve nga Ligji Ndërkombëtar mbi Detin dhe nuk është subjekt i asnjë kufizimi apo aprovimi nga palë të treta”.

Për zgjerimin me 12 milje të Greqisë, më herët ka folur edhe kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, që e ka konsideruar këtë një të drejtë të grekëve, bazuar në konventat ndërkombëtare për detin.

Qëndrimi i Dendias, pason një propozim të Kryeministri Rama në Athinë, në forumin e organizuar nga “The Economist”, sipas të cilit përcaktimi i kufirit detar mes dy vendeve mund të marrë zgjidhje nga një gjykatë ndërkombëtare.

Në këtë mënyrë, sipas Ramës, do të shmangej keqpërdorimi politik në të dy anët e kufirit, ku çështja gjithnjë ka ndezur debate në periudhën e negociatave.

Propozimi që bëri Kryeministri Rama në Athinë, më herët ishte artikuluar edhe nga opozita e sotme, si një ide që u hodh pas rrëzimit të marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese.

Tv Klan






Të ngjashme