Dha dëshmi të rremë, arrestohet një prej dëshmitarëve të Bandës së Lushnjës (9 Maj 2001)


Dha dëshmi të rremë, arrestohet një prej dëshmitarëve të Bandës së Lushnjës (9 Maj 2001)

15:56 09/05/2001

Një dëshmitar në gjyqin e Bandës së Lushnjes është ndaluar sot nga policia direkt pas daljes nga salla për dëshmi të rremë. Gjyqtari i çeshtjes Taulant Tafa ka vendosur t’i vërë prangat një prej 4 dëshmitarëve të radhës pasi dy prokurorët kanë kundërshtuar për dëshminë e dhënë sot në ndryshim me atë të dhënë në Prokurori. Ai është Petrit Selmani të cilit para 5 vitesh i është vrarë një vëlla në Lushnje.

Gjatë procesit hetimor, Selmani kishte dëshmuar se vëllanë ia kishin vrarë pikërisht autorë të Bandës së Lushnjes, por sot i ndodhur para atyre dëshmitari Selmani ka mohuar t’a ketë thënë një gjë të tillë. Ky është i dyti që ndalohet në këtë proces, pikërisht për këtë akuzë. Në seancën e sotme që zgjati 4 orë, u hodh poshtë kërkesa për lirimin në sallë të 10 të pandehurve pasi kishin skaduar afatet e paraburgimit. Ata do të mbahen në burg sipas gjyqtarit Tafa deri në fund të procesit pasi akuzat për të cilat akuzohen janë të rënda që nga vrasjet, torturat, aktet terroriste dhe armëmbajtje pa leje./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme