Mbyllet Pika Kufitare e Kapshticës


Mbyllet Pika Kufitare e Kapshticës

09:35 20/11/2020

Dhjetëra kamionë me mallra mbeten të bllokuar

Prej orës 6:00 të mëngjesit të kësaj të premteje, pala greke ka mbyllur plotësisht pikën e kalimit kufitar në Kapshticë.

Vendimi i parashikuar për një periudhë dy javore, pezullon totalisht lëvizjet drejt Greqisë dhe anasjelltas të këmbësorëve, mjeteve të transportit të udhëtarëve e po ashtu të transportit të mallrave.

Pas mbylljes së doganës, dhjetëra mjete të tonazhit të rëndë kanë mbetur të bllokuar në tokën shqiptare për gati dy orë. Drejtuesit e tyre, mes të cilëve edhe të huaj, thonë se nuk kanë qenë të informuar për ditën dhe orën kur do të mbyllej dogana.

Ata i janë drejtuar pikës doganore të Kakavijës, e cila është e vetmja që ka mbetur hapur, pas masave shtrënguese të qeverisë greke. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri me dije se orari i lëvizjes në Kakavijë është 7:00- 23:00 dhe se në ditë mund të lejohen vetëm 750 persona.

Qytetarët që kanë hyrë nga pika kufitare e Kapshticës para orës 6:00 të së premtes, duhet të vetëkarantinohet një javë, në të kundërt do të aplikohet gjoba prej 5000€.

Tv Klan






Të ngjashme