Dhoma e përfaqësuesve voton “pro” hetimit të Trump


Dhoma e përfaqësuesve voton “pro” hetimit të Trump

09:15 19/12/2019

Presidenti shkarkohet nëse miratohet edhe në Senat

Dhoma e Ulët e Kongresit Amerikan miratoi nisjen e hetimit penal për Presidentin amerikan, Donald Trump. Pas 10 orësh debate, demokratët që kanë shumicën në këtë dhomë miratuan dy akuzat. E para është ajo për abuzim me detyrën, në të cilën thuhet se Trump i ka bërë presion Ukrainës që të hetojë Joe Biden, rivalin më të mundshëm demokrat në presidencialet 2020, për të dobësuar figurën e tij në para zgjedhjeve.

Dy përfaqësues demokratë dolën kundër partisë së tyre, duke votuar kundër. Akuza e dytë, ajo për refuzim të bashkëpunimit me hetimin dhe pengim të vartësve për të bashkëpunuar u miratua sipas ndarjes partiake.

Gjykimin tashmë e ka në dorë senati që do të krijojë një komision të veçantë. Në përfundim të procesit, Dhoma e Lartë e Kongresit duhet të vendosë nëse do ta shkarkojë apo jo presidentin. Kjo ka pak gjasa të ndodhë pasi republikanët e Trump-it kanë shumicën, 53 vende nga 100 në total.

Për më tepër duhen 2/3 që të miratohet shkarkimi. Duke folur para mbështetësve në Michigan, Donald Trump tha se demokratët nuk kanë asnjë bazë në akuzat e tyre dhe se gjithçka bëhet për ta dëmtuar atë politikisht.

“Ata janë përpjekur të më hetojnë penalisht që ditën e parë. Madje që kur kisha ndërmend të kandidoja”.

Donald Trump është i treti President në historinë e Shteteve të Bashkuara, pas Bill Clintonit në 1998-n dhe Andrew Johnsonit në 1868-në që i nënshtrohet hetimit penal. Por as Clinton dhe as Johnson nuk u shkarkuan nga ky proces.

Tv Klan






Të ngjashme