Dhuna gjatë ndeshjes, klubi kryeqytetas kërkon sqarime
Ngjarjet në minutat e fundit të takimit Partizani – Skënderbeu ku pati përplasje mes policisë dhe tifozëve të Partizanit rikthyen skenat e dhunës në stadiumet shqiptare. Reagimi i forcave të rendit nuk u prit mirë nga klubi kryeqytetas.
Genc Tomori, drejtor i Përgjithshëm i FK Partizani:
Tifozët ishin në vendin e tyre dhe reagimi për mua ishte i tepruar nga ana e policisë dhe më pas u përkeqësua situata. Kishte tifozë të plagosur.
Tomori kërkojnë sqarimin e kësaj situate nga federate Shqiptare e Futbollit.
Genc Tomori, drejtor i Përgjithshëm i FK Partizani:
Ne do të dorëzojmë një dosje në federatë ku do të ketë edhe pamje filmike për të qatrësuar se e cilës palë ishte përgjegjësia.
Federata nga ana e saj kërkon një bashkëpunim më efektiv mes palëve për të shmangur situata të tilla.
Lysjen Nurishmi, shef i Sektorit të Garave në FSHF:
Duhet të ketë një organizim më të mirë të përbashkët mes klubit, federatës dhe policisë për të përcaktuar se çfarë masash do të merren. Ne do të kemi një takim me policinë dhe klubet për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe më pas mund të kemi dhe një reagim.
Një reagim pati edhe nga Policia e Elbasanit me anë të një komunikate ku shkruhet se tifozët e Partizanit hodhën sende ndenjëse dhe mjete piroteknike dhe në fushë duke goditur edhe forcat e policisë.
Po hetohet për identifikimin e përgjegjësve të kësaj ngjarje. Më herët një autobus i përkrahësve korçarë dyshohet se është sulmuar nga tifozët e Partizanit dhe disa prej tyre po hetohen për të qartësuar këtë ndodhi./ TV KLAN