Dhuna në stadium, policia “përplaset” me FSHF


Dhuna në stadium, policia “përplaset” me FSHF

18:11 04/03/2019

Replika në distancë mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Policisë së Shtetit mbi sigurinë në stadiume, që vijnë pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrit në ndeshjen Kamza-Laçi. Ishte fillimisht sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku, i cili deklaroi se ruajtja e rendit në mjediset sportive, është detyrë e Policisë së Shtetit. Zyrtari i institucionit më të lartë të futbollit, aludoi se policia nuk do mbarëvajtjen e futbollit në vend.

“A është i interesuar shteti shqiptar dhe Policia e Shtetit që futbolli më i dashur i shqiptarëve të vazhdojë? Sepse deri më tani është vështirë të vazhdohet. Jemi në mes të kampionatit dhe ju e dini shumë mirë se ç’mund të ndodhë në fund kur ekipet do të rrezikojnë rënien nga kategoria”.

FSHF kërcënoi se nëse policia nuk rikthehet në stadium do të pezullohet kampionati. Pas këtyre qëndrimeve ka reaguar dhe Policia e Shtetit. Në deklaratën për shtyp theksohet se policia është një nga aktorët dhe jo institucioni përgjegjës që siguron mbarëvajtjen e veprimtarive sportive.

“Referuar ngjarjeve të fundit, Policia e Shtetit ndihet e keqardhur për reagimin e sotëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe aq më tepër për gjuhën e akuzave duke u përpjekur të shkarkojë përgjegjësitë tek Policia e Shtetit,  dhe duke mos marrë përsipër asnjë përgjegjësi si aktore  kryesore e organizimit të aktiviteteve sportive. Në këtë kontekst, Policia është vetëm një nga aktorët dhe jo institucioni përgjegjës për organizimin, menaxhimin dhe mbarëvajtjen e eventeve sportive”.

Policia thekson se në 61 terrene sportive, vetëm dy stadiume “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi”, përmbushin kushtet e sigurisë për të zhvilluar aktivitete sportive. Mospërmbushja e tyre, sipas policisë, ka sjellë mos parandalimin dhe monitorimin e ngjarjeve apo incidenteve të ndodhura gjatë zhvillimit të aktiviteteve, duke krijuar vështirësi në dokumentimin ligjor të tyre dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të veprave penale.

Tv Klan






Të ngjashme