Dhunë edhe në protestën e Shkodrës


Dhunë edhe në protestën e Shkodrës

15:33 12/12/2020

Shkatërrohet selia e PS, digjen orenditë

Nisi si një protestë paqësore për të kërkuar drejtësi për vrasjen e të riut Klodian Rasha, por përfundoi në dhunë edhe tubimi i organizuar në Shkodër. Protestuesit u grumbulluan në orën 11:00 të paradites, fillimisht në sheshin Luigj Gurakuqi dhe më pas marshuan qetësisht drejt Prefekturës.

Pas këtij momenti një grup të rinjsh kanë nisur të qëllojnë me gurë dhe sende të forta selinë e Partisë Socialiste. Pasi thyen xhamat e dritareve dhe hapën dyert me force, nxorën dhe më pas dogjën në rrugë kompjutera, karrige e banderola të Partisë Socialiste dhe u vunë flakën.

Dhunës nuk i kanë shpëtuar as tabelat e reklamave në rrugë, të cilat u dogjën nga tubuesit.U desh ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që përdorën edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Si pasojë e përplasjes mes protestuesve dhe uniformave blu mbeti i plagosur një punonjës polici, që po merr ndihmën e specializuar në Spitalin e Shkodrës. Mes vetë protestuesve pati debate, për pjesëmarrjen e të miturve, pasi një grua u kërkoi që e mos i pranonin ato në tubime.

Tv Klan






Të ngjashme