Dhunë gjatë shoqërimit të 2 personave, pezullohen 3 punonjës policie
Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku punonjës policie shfaqeshin duke ushtruar dhunë ndaj 2 personave që po shoqëronin në ambientet e komisariatit, ka çuar në pezullimin e 3 efektivëve këtë të hënë në Durrës.
Në një njoftim të sajin, policia e këtij qyteti sqaron se rreth orës 17:30 është njoftuar për një konflikt në sheshin “Pranvera”.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë, patrulla e rendit dhe shërbimet e qarkullimit rrugor, të cilët kanë konstatuar se dy persona me iniciale P.C. dhe R.B. ishin konfliktuar me personin me iniciale I.M. Ky i fundit, sipas policisë, kishte një kioskë në këtë shesh.
Konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, ku P.C dhe R.B. kanë ofenduar I.M. dhe dëmtuar kioskën e tij.
Të ndodhur në këto kushte, thuhet në njoftim, efektivët e policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit P.C dhe R.B. , të cilët ishin në gjendje të dehur.
Në momentin e shoqërimit policia thotë se, ata kanë kundërshtuar duke ushtruar forcë dhe dhunë ndaj punonjësve të policisë, duke dëmtuar një prej efektivëve.
“
Sqarojmë se video e hedhur në rrjetet sociale është e pjesshme dhe nuk tregon të gjitha veprimet e kryera nga Efektivet e Policisë gjatë shoqërimit. Për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale është njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës. Vijon puna nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë me qëllim hetimin e paanshëm të ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të saj”,
thuhet më tej në njoftim.
Në lidhje me veprimet e punonjësve të policisë, me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë janë pezulluar 3 punonjës policie.
“Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor për të verifikuar veprimet e punonjësve të policisë nëse ka apo jo tejkalim të detyrës”,
theksohet më tej në njoftimin e policisë së Durrësit./tvklan.al