Dhunohet patrulla e policisë në Lushnje
Një nga tre policët që u dhunuan mbrëmë në Lushnje nga pronarët e një lokali nate, kishte shkuar bashkë me dy kolegë të tij për tu tërhequr vëmendjen pronarëve për muzikën e lartë dhe prishjen e qetësisë publike, por gjithçka u kthye në një përleshje mes tyre dhe personave të pranishëm në lokal.
Sadri Maxheka është i vetmi nga policët që ka qëndruar në repartin e kirurgjisë në spitalin e Lushnjes për shkak të plagëve të marra në kokë. Ai dhe dy efektivët e patrullës së përgjithshme u sulmuan me karrige, shkopinj dhe sende të tjera të forta nga vëllezërit Adem , Sokol, Bardhyl Xhepexhiu. Në konflikt u përfshinë më pas edhe persona të tjerë, klientë të lokalit të natës që sulmuan me gurë furgonin e policisë.
U desh ndërhyrja e forcave të shpejtë që efektivët e policisë të shpëtonin nga dhuna e fisit Xhepexhiu në Lushnje. Tre vëllezërit, pronarë të klubit të natës u arrestuan, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i katërt i tyre, 25 vjeçari Marjus Xhepexhiu. Të arrestuarit thanë se gjatë konfrontimit me policinë ishin nën efektin e alkolit.