Dhunoi bashkëshorten, në pranga autori që mbante armë pa leje
Tjetër krim brenda familjes. Policia e Shkodrës ka arrestuar një person nën akuzën e dhunës brenda familjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Lorenc Ndoci, 32 vjeç, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, L.N. 41 vjeçe, banuese në Velipojë, dhe ishte larguar.
Policia tha se 30 minuta pas njoftimit të së dhunuarës, është arritur kapja e autorit të dyshuar.
“E dëmtuara u transportua në Spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën,” thotë policia.
Motivi i kësaj ngjarje dyshohet të jetë për motive të dobëta.
Policia e Shkodrës njofton se gjatë kontrollit të ushtruar në banesë autorit të dyshuar iu gjet një armë zjarri automatike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Dhuna në familje”./tvklan.al