Dhunuan biznesmenin, një në pranga dy në kërkim
Policia njoftoi se ka identifikuar autorët e plagosjes së biznesmenit libanez, Fadi Mitri, të shtunën e kaluar në kryqëzimin e Laknasit, në segmentin Kashar-Rinas.
Tre personat janë banues në Durrës e Sukth, familjarët e të cilëve dyshohet se kanë pretendime për tokën ku do investonte biznesmeni në Gjirin e Lalzit.
I arrestuar është vetëm njëri prej tyre, Skënder Kraja, 26 vjeç, në banesën e të cilit është gjetur një sasi e vogël kanabisi. Policia ka shpallur në kërkim edhe dy personat e tjerë me inicialet V. D. 32 vjeç dhe L. M. 39 vjeç.
Paraditen e të shtunës, ata i zunë rrugën me makine 54-vjeçarit në segmentin e Rinasit dhe e dhunuan barbarisht, duke e goditur me shkop bejzbolli. Fadi Mitri përfundoi në spital, ku ndodhet ende prej 5 ditësh.
Ai i tha grupit hetimor se personat që e dhunuan i kërkuan të “ndërpriste punimet e kompleksit turistik në Gjirin e Lalzit dhe të largohej nga Shqipëria”. Mitri ndodhet në Shqipëri prej vitit 2008 në përpjekje për të ndërtuar një kompleks turistik me vlerë 200 milionë euro në Gjirin e Lalzit.
Por edhe pse është regjistruar që në vitin 2008 në QKR, “Omnix Albania” me administrator biznesmenin amerikano-libanez nuk ka kryer ndonjë vëllim punimesh në bregun e Gjirit të Lalzit, ku ka marrë disa mijëra metra katorë tokë për të ngritur një fshat turistik. Kjo sipërfaqe është e rrethuar prej shumë vitesh. Në vitin 2011, banorët e Lalzit protestuan kundër ndërtimit dhe prishën rrethimin.
Tv Klan