Dialogu dhe tensionet Kosovë-Serbi, analistët: Duhet angazhim i madh


Dialogu dhe tensionet Kosovë-Serbi, analistët: Duhet angazhim i madh

08:51 08/04/2018

Arrestimi i shefit të zyrës së qeverisë serbe në Kosovës, Marko Gjuriç muajin e kaluar ka acaruar edhe më tej raportet mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar nevojën për një dialog që trajton marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve në kontekstin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian, thonë dy analistë amerikanë të çështjeve të Ballkanit. Ross Johnson nga Qendra Wilson dhe Edward Joseph nga Universiteti Johns Hopkins i thanë Zërit të Amerikës se duhet një angazhim më i madh i Kosovës dhe Serbisë për zbutjen e tensioneve mes dy vendeve. Kolegu Festim Gashi sjell hollësitë.

Arrestimi i shefit të zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriç, muajin e kaluar ka acaruar edhe më tej marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar nevojën për të trajtuar çështjet më të mëdha në dialogun mes dy vendeve, thotë eksperti i çështjeve të Ballkanit në Universitetin Johns Hopkins, Edward Joseph:

“Është një shembull tjetër i nevojës që Bashkimi Evropian të punojë me Shtetet e Bashkuara, që të mos mbështetet vetëm në dialogun teknik, por të trajtojë pyetjen politike gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.”

Ndërsa, analisti Ross Johnson nga Qendra Wilson kritikoi ashpër Kosovën për arrestimin e zyrtarit serb në pjesën veriore të vendit:

“Ky ishte një veprim tepër trashanik i qeverisë së Kosovës. Ata duhet të gjejnë përgjegjësit e këtij veprimi. Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Shtetit e kanë kritikuar këtë veprim. Kjo nuk është mënyra e duhur e veprimit”.

Johnson tha se Kosova ka humbur më shumë nga kjo ngjarje dhe se gjetja e një zgjidhje paqësore me Serbinë është në interesin e Prishtinës:

“Pavarësisht kundërshtimeve ndaj shefit të zyrës serbe në Kosovë, ai duhet të lejohet të shkojë në Kosovë. Nëse këtë radhë ai nuk kërkoi lejen në mënyrë të rregullt, ai duhet të lejohej të hynte gjithsesi dhe pastaj t’i kërkohej herën tjetër që të respektonte rregullat. Ajo që ka ndodhur nuk është e dobishme. Unë mendoj se për përmirësimin e gjërave në lidhje me këtë çështje, qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë se sa ajo e Serbisë.”

Analisti Edward Joseph është dakord se Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë më shumë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre, por ai gjithashtu theksoi nevojën që dialogu të përqendrohet më shumë tek përparimi i të dyja vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Është shumë e qartë, siç e kam thënë edhe pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, se ky proces po ndeshet me realitete politike dhe çështja kryesore është se si Kosova dhe Serbia mund të përparojnë drejt Bashkimit Evropian”, thotë zoti Joseph.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian, i cili e kushtëzon anëtarësimin e saj me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Arrestimi dhe deportimi nga policia e Kosovës i zyrtarit serb, Marko Gjuriç ishte arsyeja e daljes së Listës Serbe nga qeveria e Kosovës. Kjo ka bërë që vendi të mbetet me qeveri të pakicës./VOA






Të ngjashme