Dialogu Kosovë – Serbi në klimë pozitive
Serbia e ka pritur pozitivisht vazhdimin e dialogut me Kosovën. Kësaj radhe duket se shpresat janë konsideruar më të mëdha. Një fillim i ri për zgjidhjen e problemit. Zyrtarë të ndryshëm serb e kanë vlerësuar dialogun duke i shprehur mbështetjen presidentit, Aleksandar Vuçiç, për vazhdimin e tij. Kryeministrja, Ana Brnabiç, i ka vlerësuar bisedimet si të vështira, por mbështetje të plotë të kabinetit të saj.
Ana Brnabiç, Kryeministre e Serbisë:
“Nuk dua që gatishmëria jonë për kompromis të konsiderohet si një dobësi e jona. Ky është tregues i fuqisë dhe seriozitetit të Serbisë. Qeveria do ta mbështesë presidentin plotësisht”.
Analistët vlerësojnë se takimet e fundit kanë ulur tensionet pas disa muajsh konflikte përmes deklaratave politike.
Aleksandra Joksimoviç, Qendra për politika të jashtme:
“Pas marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë fokusi i Bashkimit Evropian do të jetë tek problemi i Kosovës si një kriter i rëndësishëm për progresin e rajonit drejt BE-së”.
Në Serbi presin që bisedimet të jenë më intensive drejt marrëveshjes përfundimtare.
Tv Klan