
Diell, drogë dhe varfëri…
Thirrje emergjence nga një parajsë mesdhetare: Në provincën spanjolle, Cádiz në Andaluzi popullsia vuan nga tregtia e drogës, kontrabanda e cigareve dhe bandat.
Thinjoshi Francisco Mena është një njeri i kërkuar. Takimi me të në lokalin spanjoll të fshatit piktoresk San Roque ndërpritet shpeshherë nga telefonatat. „Sapo fola me BBC tani dhe të hënën takoj ministren e Brendshëm spanjoll", thotë 58 vjeçari jo pa krenari. Andaluziani lufton me organizatën e tij „Për sigurinë tënde e të gjithëve" prej 20 vitesh kundër tregtisë me drogën në cepin më jugor të Europës, në provincën Cádiz. „Këtu spanjollët dhe marokenët punojnë dorë më dorë, me këdo që do të bëjë shpejt para", thotë ai. Organizata u ndihmon personave të varur nga droga të dalin prej rrethit vicioz. Në brigjet e qytetit fqinj, La Linea përditë vijnë qindra kilogramë kanabis me gomone nga Maroku. Ka ditë që transportohen edhe disa tonë drogë. Sipas Menas, Spanja është zhvilluar në një pikë qendrore për drogën. „Krahas tregtisë ndërkombëtare me drogën nga Amerika Latine dhe kanabisin në Marok kemi tani edhe kontrabandën me Gjibraltarin", shpjegon aktivisti kundër dorgës. Sipas tij mungojnë të paktën 400 policë për t'i bërë ballë presionit në rritje kundër sigurisë në rajon. Deri më tani biznesi me drogën zhvillohej në fshehtësi. Në mars të këtij viti situata në La Linea u ashpërsua, kur kontrabandistë të hashashit qëlluan me gurë policinë që donte t‘i ndalte të ngarkonin mallin në një automjet Landrover. Kur pas një aksioni të policisë një bos maroken i drogës u dërgua në spital, 30 persona të maskuar dhe të armatosur e nxorrën atë nga spitali. „Kjo të kujton situata si në Kolumbi", thotë Mena i nervozuar. Ai pi cigare, ulet, ngrihet sërish.