Digjet edhe raundi i 3 për Presidentin
Raundi i 3-të dhe i fundit që kërkonte shumicë të cilësuar për zgjedhjen e Presidentit të ri u dogj pa asnjë kandidat. Por ndërsa ky ishte një lajm që pritej, ajo që surprizoi ishte deklarata e Gramoz Ruçit i cili kur Kryeparlamentari u bë gati të mbyllte seancën morri fjalën e cila i drejtohej personalisht Ilir Metës.
Kreu i Grupit Kuvendor Socialist i kërkoi që nesër të konsumohen të dy raundet e mbetura për zgjedhjen e Presidentit, pasi sipas tij, opozitës i janë dhënë më shumë mundësi dhe kohë seç e meriton dhe për këtë bëri përgjegjës Ilir Metën, që është treguar shumë tolerant dhe i duruar me ta, ndërsa i kujtoi se socialistët i kanë votat për ta zgjedhur dhe pa LSI-në Presidentin, në të kundërt lajmëroi se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ruçi iu rikthye edhe njëherë negociatave me opozitën dhe lëshimet e shumta që socialistët kanë bërë në këtë proces.
Një tjetër surprizë ishte dhe reagimi i Ilir Metës i cili nuk iu përgjigj përfaqësuesit të aleatit socialist, duke u justifikuar me rregulloren e Kuvendit e cila nuk ia lejon replikën. Propozimi i Ruçit u mor parasysh nga Konferenca e Kryetarëve, e cila vendosi që raundi i 4 për zgjedhjen e Presidentit të jetë të premten e 28 prillit në orën 17.00.
Ilir Meta zgjodhi të mos flasë pas Konferencës së Kryetarëve siç e kishte bërë në 2 raundet e tjera, kur i ka bërë apel opozitës të përfshihet në këtë proces.
Televizioni Klan ka mësuar se gjatë paradites në parlament janë mbledhur firmat e të gjithë deputetëve për të siguruar prezencën e tyre në seancën e pasdites së premte, pavarësisht që kjo datë zyrtarisht si raundi i 4 për zgjedhjen e presidentit u vendos vetëm pasditen e kësaj të enjteje nga Konferenca e Kryetarëve.
Deputetët nuk janë informuar për emra konkretë që do të paraqiten si kandidatë zyrtarë, por emri më i përfolur si Presidenti i ri i Republikës është ai i Kryeparlamentarit Meta.
Tv Klan