Dimri i acartë, të tjera viktima në Europë
Moti i keq që ka përfshirë Europën ka shkaktuar të tjera viktima. Statistikat e fundit flasin për 11 të vdekur, prej të cilëve 3 në Holandë, 4 në Belgjikë dhe 4 në Çeki.
BBC raporton se viktimat janë si pasojë e aksidenteve nëpër rrugët që janë mbuluar nga ngrica e akuj. Rreth 83 mijë persona në Poloni dhe juglindje të Francës kanë mbetur pa energji elektrike.
Sinoptikanët parashikojnë që situata me temperaturë që shkojnë deri në -40 gradë, stuhi dëbore dhe erëra të forta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Në Verilindje të Gjermanisë, qindra persona mbetën të bllokuar për disa orë nëpër makinat e tyre si pasojë e izolimit nga dëbora. Në këtë zonë autoritetet kanë deklaruar gjendjen e emergjencës. Kompania shtetërore e hekurudhave në Gjermani, Ban tha se shumë udhëtime drejt veriut janë anulluar.
Po kështu kompanitë ajrore në Francë kanë anulluar fluturimet. Me qindra udhëtarë u bllokuan për disa orë në aeroportet e Parisit, Lionit dhe Shamberi.
Në Zvicër, në pjesën veriore të Spanjës dhe Portugalisë janë paralajmëruar stuhi e madhe dëbore.
Tv Klan