Dimri ngrin të gjithë vendin


Dimri ngrin të gjithë vendin

19:54 29/12/2016 https://youtu.be/qM_sgNOae5Q

I gjithë vendi është përfshirë nga i ftohti siberian, me temperatura disa gradë nën zero. Në kryeqytet  temperaturat arrijnë deri në -6 gradë. Prej ditës së djeshme, moti i kthjellët është shoqëruar me erë të fortë.

Në Divjakë, një 83 – vjeçar humbi jetën si pasojë e stuhisë së fortë me erë deri në 23 km në orë gjatë natës. Halil Mici, gjeti vdekjen pasi i ka rënë në kokë një degë pishe e thyer. Ai ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij, kur pema është thyer. 

Ndërsa në juglindje të vendit, bora zbardhi të gjitha rrugat duke i bërë ato të pakalueshme. Firma mirëmbajtëse nuk mori masa në kohë dhe pati disa aksidente pa pasoja në jetë. Për këtë arsye Prefekti i Korçës, Ardit Konomi, kërkoi ndjekje penale për subjektin që mirëmban rrugën Korçë – Kapshticë.

Në orët e para të mëngjesit, segmentet kryesore u bënë të kalueshme.

Korçë – Ersekë dhe në Qafën e Qarrit qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë, për shkak të shtresave të akullit. Edhe rrugët drejt zonave turistike të Dardhës dhe Voskopojës, në të cilat trashësia e borës ka arritur deri në 20 centimetra, qarkullohet vetëm më zinxhirë.

Tv Klan






Të ngjashme