Dita e fundit e masave të fundvitit, prej 5 Janarit “shtohet” liria
Kjo e hënë (4 Janar) është dita e fundit e orës policore e vendosur gjatë festave të fundvitit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Nga nesër (5 Janar), kufizimi i lëvizjes së qytetarëve do të rikthehet në orën 22:00.
“Prej datës 5 Janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë të gjithë i njohim”, njoftonte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu më 21 Dhjetor 2020.
Me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve prej orës 20:30-06:00, që prej 24 Dhjetorit u ndalua edhe aktiviteti i bareve, restoranteve, fast food-eve dhe lokaleve që ofronin shërbim në këtë fashë orare. Prej të martës edhe këto biznese mund t’i kthehen aktivitetit deri në orën 22:00.
Mësohet se edhe universitetet do të nisin nga 5 Janari mësimin online. Ndërkohë shkollat do të hapin dyert për nxënësit më 11 Janar.
Komiteti i Ekspertëve i mori masat në prag të festave për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit, për të shmangur çdo grumbullim njerëzish.
Mbi 59 mijë qytetarë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 në Shqipëri që prej nisjes së epidemisë. Fatkeqësisht 1193 prej tyre kanë humbur jetën.
Aktualisht janë mbi 23 mijë raste aktive me sëmundjen, ndërkohë që mbi 34 mijë persona e kanë kaluar infeksionin dhe janë shëruar./tvklan.al