Dita e parë e mbylljes së 215 gjimnazeve
Mësimi do të vazhdojë vetëm në platformat online
Duke nisur nga kjo e enjte e për 2 javët ne vazhdim, shkollat e mesme në disa qytete të vendit që kanë një numër të lartë të infektimeve me Covid -19, do të qëndrojnë të mbyllura.
Ekspertët e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit vendosi për ta skenarin e tretë, pra vetëm mësim online.
“Shkollat e mesme ne Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamzë kalojnë online. Kemi 215 gjimnaze publike dhe jopublike me rreth 48 mijë nxënës, pothuajse 50% e nxënësve të arsimit të mesëm”, thotë Fiqiri Çifligu, përgjegjës sektori në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar.
Mësimi do të vijojë përmes platformave online.
“Përmes Akademi.al apo platformave të tjera funksionale. Do të jetë edhe kanali Youtube i MSR dhe RTSH shkolla ku janë regjistruar video njëkohësisht me programin që duhet të zbatonte shkolla në mjedise fizike”.
Ndërsa mësimi për shkollat 9-vjeçare nuk ndryshon. Nga klasa e 1 deri ne 5 janë fizikisht në shkolla, ndërsa klasat nga e 6 deri ne 9 me mësim të kombinuar.
Tv Klan