Dita e Talasemisë, Meta dhuron gjak: Akt humanizmi dhe solidariteti


Dita e Talasemisë, Meta dhuron gjak: Akt humanizmi dhe solidariteti

13:57 08/05/2018

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Shoqata e Talasemikëve Shqiptarë në bashkëpunim me Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, Shoqatën Italiane të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut “AVIS” Olbia, Itali, me rastin e 8 majit, Ditës Botërore të Talasemisë.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Meta theksoi

“se është koha që të veprojmë më shumë në këtë drejtim. Nuk duhet të presim të gjithë që të kemi një person të afërt në familje që të shqetësohemi për talaseminë dhe të fillojmë të informohemi rreth saj, rreth të këqijave dhe kërcënimeve të talasemisë, për cilësinë e jetës, për jetëgjatësinë, aq më tepër kur kemi të bëjmë me gati 7% të popullsisë, që është një shifër mjaft e konsiderueshme që është e prekur nga kjo sfidë”.

“Si President i Republikës dua që t’ju  siguroj se sot kam ardhur këtu jo vetëm që t’i bashkohem kësaj fushate e të kontribuuojmë duke dhuruar gjak, por këtë ta bëjmë në mënyrë të vazhdueshme kudo, anembanë vendit dhe të motivojmë, të koordinojmë, të bashkëveprojmë me të gjithë aktorët në mënyrë që të zgjidhim këtë problem e këtë mungesë, sepse jemi ende, për fat të mirë, një nga vendet më të reja në Evropë dhe kemi mundësi që të jemi akoma jo vetëm një vend më i ri, por edhe një vend akoma më i shëndetshëm, dhe kjo fillon duke u kujdesur për këtë fëmijë sot, por edhe duke u përpjekur për të parandaluar në të ardhmen sa më shumë raste të tilla, në mënyrë që të jemi një vend që edhe në përballimin e ksaj sfide, të jemi ndër vendet më të avancuara, edhe të rajonit tonë, por edhe të Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrja këtu më ndihmon edhe mua të ndërgjegjësohem më shumë dhe besoj se të gjithë së bashku do të bëjmë një hop cilësor në mënyrë që kur të mblidhemi vitin tjetër të kemi rezultate padiskutim më të mira, me shpresë, por edhe me një çik besim”

, u shpreh Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës së bashku me anëtarët e kabinetit të Presidencës, dhuruan gjak për të pacientët e prekur nga sëmundja e talasemisë.

/tvklan.al






Të ngjashme