Dita e Verës në Elbasan – (14 Mars 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Dita e Verës e njohur që nga koha e lashtësisë kujtohet në të gjithë Shqipërinë, por Elbasani njihet si qyteti më tradicional që e feston këtë ditë. E konceptuar që nga lashtësia nuk hyn në festat fetare dhe është festuar nga kushdo. Kjo festë për elbasanllinjtë merr përmasat e Vitit të ri, si nga gatimi dhe pergatitja e ëmbelsirës karakteristike bollokumes.
Dita e Verës i ka nxjerrë në bulevard dhe në park për të festuar të gjithë. Aktivitetet e ndryshme, koncerte, piktura të ekspozuara në rrugë, dita e poezisë e organizuar nga Lidhja e Shkrimtareve dhe Shtëpia Botuese “Onufri”, kanë mbledhur të ftuar nga të gjithë rrethet. Edhe Bashkia ka ftuar personalitete për të drekuar në turizmin Skampa. Është ftuar dhe Presidenti Mejdani i cili është pritur gjatë por deri në orët e drekës nuk ishte pjesemarrës në festë.
Ish-kryetari i Partisë Socialiste Nano dhe Ministri i Rendit Koçi kanë festuar një ditë më parë në Elbasan. Nënkryetari i Partisë Demokratike Genc Pollo ka vizituar në këmbë parkun festiv duke dhënë dhe urimet e tij.
Genc Pollo:- “Dita e Verës, dita e shpresës, pranvera simbolizon të ardhmen, po shihet në Elbasan dhe shihet në të gjithë Shqiperinë”.
Dhe Drejtori i Policisë Tiranë Mithat Havari ka shfrytëzuar Ditën e Verës për të drekuar tek vjehrri i tij. Gjithsecili e ka festuar pavarësisht nga të ardhurat sëbashku me të afërmit e tij./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti