“Ditë pas dite na hiqen shërbime që kemi fituar me mund…”


“Ditë pas dite na hiqen shërbime që kemi fituar me mund…”

22:05 02/03/2018

Shoqata e të Verbërve në Fier ka një konflikt me Bashkinë e qytetit.

Edhe pse kjo kategori ka fituar gjyqin për disa kamatë-vonesa, nuk po marrin dot paratë që u takojnë.

Pas interesimit të emisionit “Stop” rezultoi se të gjitha institucionet, nga bashkia, Shërbimi Social e deri te ministritë ia hedhin topin njëri-tjetrit.

Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror u shpreh se nuk është përcaktuar akoma institucioni përgjegjës për kthimin e detyrimeve të prapambetura për këtë kategori, pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shkrirë.

"Ne më 7 Nëntor 2013 kemi fituar një gjyq që shoqata e të verbërve e ka inicuar kundër Njësive Administrative për mosshlyerjen apo mosllogaritjen e saktë të disa fondeve që personave të verbër iu janë mbajtur në vitet 2008-2010, nga llogaritja e gabuar që iu është bërë vendimeve të Këshillit të Ministrave nga ministria e atëhershme e Punës dhe Çështjeve Sociale.

Në vazhdën e kësaj ne kemi inicuar një gjyq, i cili u fitua nga ne dhe këto Njësi Adminmistrative duke përfshirë edhe komunat i detyrohen çdo të verbëri në rrethin Fier një shumë të caktuar, që sot shkon gati 1000 euro për person. Në evidencat që ne kemi, numri i personave të verbër që janë me mungesë të plotë ose të pjesshme të shikimit janë gati 1000 persona.

Unë jam një person i lindur i verbër dhe po të flasim nga ana sociale, ne çdo ditë hasemi me pengesa të panumërta dhe ditë pas dite na hiqen ato shërbime që kemi fituar me mund!"

Gazetarja e emisionit "Stop" iu drejtua Bashkisë Fier për të pyetur se përse nuk ekzekutohet ende vendimi i formës së prerë të gjykatës, i cili daton në vitin 2013, por asnjë prej titullarëve nuk u përgjigj.  

Në mënyrë jozyrtare, mundi të siguronte numrin e telefonit të drejtorit të Shërbimit Social të Bashkisë Fier dhe e telefonoi.

"Për këtë duhet t’i drejtoheni Shërbimit Social Shtetëror sepse ne na vjen fondi grant i deleguar për këtë qëllim. Ne nuk veprojmë sa duam ne dhe si duam ne. Të gjitha gjërat, si pagesat dhe sasinë për secilin person të paaftë, ne e marrim me udhëzim nga ministria përkatëse. Kështu që nuk jemi ne ata që vendosim".

Ndaj dhe gazetarja e emisionit "Stop" iu drejtua Shërbimit Social Shtetëror për të pyetur se përse ka patur kaq vonesë të gjatë për shlyerjen e kamatë - vonesave të të verbërve.

Drejtoresha u shpreh se janë në dijeni të kësaj çështjeje, por nuk është përcaktuar ende institucioni përgjegjës për kthimet e detyrimeve të prapambetura për këtë kategori.  

Emisioni "Stop" kërkoi përgjigje zyrtare nga këto institucione për arsyen e moslikujdimit të kamatë - vonesave të të verbërve. Bashkia Fier tha se duke qenë një vendim gjyqësor, i cili nuk e ka të përcaktuar qartë detyrimin konkret që kjo ka ndaj palës paditëse dhe faktit që pagesat për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara janë pagesa të parashikuara me fond të veçantë nga Ministria e Linjës, përkatësisht Ministria e Rinisë dhe Mirëqënies Sociale, i ka kërkuar kësaj të fundit bashkëpunimin për zgjidhjen e këtij problemi.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se nuk ka asnjë vendim gjykate sipas të cilit, ky institucion të ketë detyrimin ligjor për të likujduar pagesat e të verbërve të qytetit të Fierit.

Gazetarja e emisionit "Stop" u shpreh se këto institucione po ia hedhin topin njëri - tjetrit. /

tvklan.al






Të ngjashme