Ditët e Lasgushit në Prishtinë – (25 Nëntor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Lasgush Poradeci dhe vepra e tij për dy ditë rresht janë paraqitur në simpoziumin shkencor në Prishtinë. E para herë që krijimtaria e Poradecit diskutohet në përmasa të tilla, duke përbërë eveniment edhe për kryeqytetin kosovarë Prishtinë. Jeta dhe vepra e Lasgushit hodhi dritë mbi gjithë poezinë shqiptare.
Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë Shqiptare së bashku me Institutin e Albanologjisë të Prishtinës, janë organizatore të këtij simpoziumi kumtues. Për drejtuesin e Institutit të Gjuhësisë, Jorgo Bulo, të veçantat dhe të rejat që solli ky aktivitet do të mbeten gjatë në kujtesë.
Jorgo Bulo, Drejtues i Institutit të Gjuhësisë:- “Në këtë simpozium morën pjesë studjues nga më të njohurit nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia. U paraqitën me kumtesat e tyre studjues nga Franca, nga Italia, nga Rumania dhe kumtuset dhe referuset më referatet e tyre hodhi dritë të re në jetën dhe krijimtarinë e Lasgush Poradecit, në rolin që ka luajtur krijimtaria e tij për risimin e poezisë shqipe. Ky simpozium dëshmoi në sytë e tyre vlerat e qytetërimit tonë. Simpoziumin e pasuroi në mënyrë të veçantë një film televiziv përgatitur nga Televizioni Klan, i cili solli të gjallë përpara spektatorëve atje, përpara studjuesve dhe publikut të gjerë që ndoqi punimet e simpoziumit, Lasgushin, fjalën e Lasgushit, poezinë e Lasgushit, qytetin e lindjes së Lasgushit. Mund të them se ky film dokumentar u ndoq me një interes të veçantë dhe u vlerësua në mënyrë të veçantë nga pjesmarrësit. Me këtë rast deshiroja ta falenderoja Televizionin Klan që mori nismën për të përgatitur edhe për të sjellë në Prishtinë, Lasgushin të gjallë”.
Po në këto ditë u bë paraqitja e tre vëllimeve të veprës të Lasgushit që i jepen për herë të parë lexuesit, në një mënyrë të gjerë krijimtarie./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti