Divizioni i Këmbësorisë i rrethit të Shkodrës dhe Laçit (13 Mars 1999)
Në fushën e Postopojës zhvillohet një stërvitje e Divizionit të Këmbësorisë së rrethit të Shkodrës. Në këtë stërvitje ishin Kryeministri Pandeli Majko, Ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga, Ministri i Informacionit Musa Ulqini, Kreu i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme Sabri Godo, Atasheu i NATO-s në Shqipëri si dhe funksionarë të pushtetit lokal të Shkodrës.
Pas paraqitjes së stratëgjisë nga Shefi i Shtabit te Divizionit të Shkodrës filluan menjëherë manovrat e trupave të shumta ushtarake të Divizionit të Këmbësorisë. Stërvitja u shoqërua dhe nga fluturimi i avionëve. Ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga përgëzoi Divizionin e Këmbësorisë së Shkodrës.
Kryeministri Majko tha se fusha e Postopojës që ka hyrë në historinë shqiptare me betejën e Dede Gjo Lulit në vitin 11, dha sot mesazhin se kushdo që do të guxojë të prekë Shqipërinë ne do t’i tregojmë se Shqipëria ka dhëmbë, krahë e shpatulla për të mbrojtur vetveten. Më pas stërvitja u zhvendos në Kodrën e Pllanës të rrethit të Laçit.
Pasi Shefi i Divizionit të Laçit ka paraqitur strategjinë përpara titullarëve më të lartë të Qeverisë, kanë filluar manovrat ushtarake nga Kodra e Pllanës. Pas stërvitjes Kryeministri Majko ka evidentuar gadishmërinë dhe përgatitjen e ushtarëve të dy Divizioneve si në Shkodër dhe në Laç. Përpara se të largohej Kryeministri Majko është përshëndetur dhe me disa banorë të kësaj zone./tvklan.al
Gazetare : Mirela Milori