“Do vijmë, do t’iu shikojmë”, banorët në Manëz: U bënë 4 ditë që na kanë nxjerrë nga kampi
Situata pas tërmetit në Manëz vazhdon të jetë e rëndë. Banorët e zonës kanë treguar se bashkia i ka nxjerrë nga kampi i çadrave me premtimin se do t’i fusë në çadra dimërore, por deri tani nuk është bërë asgjë për ta.
Banorët i kanë treguar përfaqësuesve të Partisë Demokratike që ishin atje se nuk u është dhënë as bonusi i qirasë që iu është premtuar.
“Quhem Artur Nuçja, banor i qendrës administrative Manëz. U bënë 4 ditë që na kanë nxjerrë nga kampi me fjalët që “do të vijmë, do t’iu shikojmë”. Nga momenti që kemi dalë nga çadrat nuk ka komunikuar as njëri as tjetri. Jetoj veti i shtati në çadra në kushte shumë të vështira””, shprehet ai në videon e publikuar nga PD.
Banori shton më tej se nga ana e shtetit nuk është bërë asnjë lloj lëvizje deri në këto momente për t’i ndihmuar. Një tjetër i bën thirrje qeverisë që të shohë dëmet.
“Nuk ka asnjë përkrahje nga shteti. I bëj thirrje shteti të shohë se çfarë dëmi kemi. Shteti të vejë dorë mbi ne se e ka lënë fshatarësinë pas dore”, u shpreh banori.
“Asnjë nuk na ka ardhur me verifikuar këtë zonë. Kam folur me kryetarin e bashkisë. Ka thënë “unë e mora si lajm do vij, s’do vij”. Për mua nuk ka çarë kokën fare. Të paktën çdo familje në Hamallaj do çadër”, tha një tjetër.
Manza është një zonë që është goditur rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit që la pas 51 viktima. /tvklan.al