Doganat, Anastas Angjeli – (26 Nëntor 1999)


Doganat, Anastas Angjeli – (26 Nëntor 1999)

18:46 26/11/1999

Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Një furtunë akuzash për korrupsion ka ngritur sot Kryefinancieri Anastas Angjeli me njerëzit e caktuar për të luftuar kontrabandën në tokë e në det.

Anastas Angjeli, Ministri i Financave:- “Ku janë kostatuar shkelje doganore, në shumë raste, një vlerë rreth 112 milion lekë të reja. Janë 165 raste të sekuestrimit të mallrave, por ka dhe rezultate jo të mira në realizimin e të ardhurave doganore në tërësi. Nga informacione të ndryshme ka raste të implikimit të personave, që punojnë në strukturat tuaja në kontrabandë. Ajo që është më e rrezikshme është që ka raste të implikimit në korrupsion. Ka raste të mitmarrjes, të ryshfetit në jo vetëm në mënyrë vullnetare, por të marrjes me presion ndaj subjekteve të ndryshme”.

Më pas Angjeli ka kërkuar rezultate konkrete në luftën pa kompromis ndaj evazionit fiskal, rezultate të cilat do të provojnë dhe qëndrimin në detyrë të drejtuesve të doganave. Ndërkohë drejtuesja e Misionit CAM Albania, Natalia Cea, tha se ka patur armiqësi të madhe mes drejtuesve të doganave dhe policëve doganore.

Brenda muajit Mars të vitit 2000, policia doganore do të zëvendësohet nga departamenti i ri i antikontrabandës i përbërë nga 24 grupe lëvizëse tokësore dhe grupe të tjera detare nëpër Portet e Shqipërisë. Cea ka akuzuar për korrupsion të madh në administratën doganore shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur disa anijë të sekuestruara, por dhe 27 doganierë të ndëshkuar prej të cilëve 17 doganierë të dërguar për ndjekje penale. Shpresohet që gjatë vitit 2000 doganierët do heqin dorë nga kontrabanda edhe nëpermjet shpërblimeve materiale./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame






Të ngjashme