Dom Ernest Troshani: Titullin Kardinal as e kisha ëndërruar, ia dedikoj popullit tim
"As e kisha ëndërruar, as e kisha besuar kurrë.."
Edhe sot kur u bë java që Papa Françesku i dha titullin Kardinal, priftit të Dioqezës së Shkodrës, Dom Ernest Troshanit ende i duket e pabesueshme, nderimi që i bëri Ati i Shenjtë.“Jam i padenjë për një titull kaq të madh, më mirë shërbëtor i popullit kjo është... Nuk dua të shes mend para opinionit në televizion”.
Këto ditë kanë qenë të pazakonta për Kardinalin shqiptar. Ai është kthyer në një personazh të dashur publik. Njerëzit kërkojnë të fotografohen më të, ta përshëndesin, ndërkohë që telefoni nuk gjen qetësi. Dom Ernest Troshani, i paraprin intervistës me lutjen që në kronikën që po ndiqni, të theksohet se titulli Kardinal nuk i përket atij.“Kjo është fetare, por kjo është edhe kombëtare. Nuk është një titull që më jepet mua, por është një titull që e gëzon i gjithë populli shqiptar”.
88 - vjeç, me një kujtesë të admirueshme, ky martir i gjallë i besimit katolik ndodhej në Pistoi të Firences, për të kremtuar një meshë për shqiptarët atje. Bashkë me priftërinjtë e tjerë po ndiqte në televizor shpalljen e kardinalëve të rinj, kur veshët i dëgjuan emrin e tij. Nuk po e besonte, për ta konfirmuar se nuk ishte keqkuptuar, nisi të kërkonte në internet.“Nxjerr celularin për ta parë me sytë e mi, që të të japin një funksion fetar kaq të lartë…”
I larguar nga shtëpia që në moshën 10 - vjeçare për t’iu dedikuar besimit të tij në Zot, i dënuar me 18 vite heqje lirie sepse mbajti një meshë për vdekjen e ish - Presidentit amerikan John Kennedy, Dom Troshani i përgjigjet më fjalët e Biblës, atyre që dikur e burgosën. Sot ky shërbëtor i Zotit vazhdon misionin e tij, në kishën e Shën Prendës në fshatin Trush të Shkodrës, ku ka raste që i duhet të shërbejë edhe për 15 orë.“Me qenë sa më afër popullit, me patur ndonjë mundësi tjetër me e ndihmuar, por kaq janë kushtet…”
Tv Klan