Donald Trump akuzohet sërish për dhunë seksuale
Pas bisedës në një “dhomë të mbyllur”, siç i kishte quajtur Donald Tramp komentet fyese ndaj grave, situata e miliarderit njujorkez rrezikon të rëndohet më tej.
Tre gra të tjera, të intervistuara nga “The New York Times”, denoncuan kandidatin republikan për president se ka tentuar t’i sulmojë seksualisht. Mirëpo 70 – vjeçari i ka cilësuar si shpifje të mediave të kontrolluara nga Clinton.
“ New York Times në falimentim po sajon histori të reja pa asnjë provë apo dëshmitarë, me veprime të supozuara përpara shumë vitesh. Këto gënjeshtra të fushatës së Clinton -it nuk do të na mposhtin”.
Edhe Zonja e Parë, Michelle Obama, ka reaguar ndaj skandalit.
“Kjo nuk është diçka që duhet anashkaluar. E di që jemi në fushatë, por kjo s’ka të bëjë me politikën, ka të bëjë me mirësjelljen njerëzore që nje lider duhet të ketë. Komentet e Trump që mburrej se sulmonte gratë më kanë tronditur deri në palcë”.
Pas publikimit të video-skandalit, disa figura të shquara brenda Partisë Republikani u distancuan nga Donald Trump, i cili ka humbur sërish terren ndaj Clinton në sondazhe.
Tv Klan