Dorëheqja e kreut të PDK, “Vetëvendosje” kërkon arrestimin e Thaçit dhe Kadri Veselit


Dorëheqja e kreut të PDK, “Vetëvendosje” kërkon arrestimin e Thaçit dhe Kadri Veselit

21:00 16/08/2016

Pas dorëheqjes së Kreut të Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci, ka reaguar “Lëvizja Vetëvendosje.”

Siç raportojnë mediat kosovare, nëpërmjet një deklarate, kjo parti kërkon dorëheqjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe arrestimin e menjëhershëm të tyre , pasi dorëheqja e Adem Grabovcit nuk mjafton.

 Ja komunikata e plotë e VV-së:

 

“Dorëheqja e Adem Grabovcit është pranim i fajësisë për krim të organizuar, korrupsion dhe kapje të shtetit. Adem Grabovci fillimisht u orvat të shpëtonte nga presioni publik duke fyer inteligjencën e qytetarëve, duke dhënë arsyetime absurde që gjoja qenka angazhuar për të rritur punësimin në Kosovë, por i përballur me zemërimin e publikut, u detyrua që më në fund të pranojë fajet e tij ndaj Republikës dhe institucioneve të Kosovës.

Sidoqoftë, dorëheqja e tij vetëm nga drejtimi i Grupit Parlamentar të PDK-së është e pamjaftueshme. Ai duhet të heqë dorë edhe nga pozita e deputetit, nënkryetarit të PDK-së, si dhe nga çdo funksion tjetër politik e publik. Në anën tjetër, ai duhet urgjentisht të ndiqet penalisht dhe të mbajë përgjegjësi ligjore për veprimet e tij të pista.

Dorëheqja e tij nuk mjafton, ngase – siç e pranon edhe vetë ai – Adem Grabovci ishte vetëm ekzekutues që urdhrat i merrte vazhdimisht nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Populli i Kosovës nuk mjaftohet me dorëheqjen e një ekzekutuesi përderisa kokat e krimit që e udhëhiqnin atë janë ende në krye të shtetit tonë.

 

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon urgjentisht dorëheqjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit si dhe arrestimin e tyre të menjëhershëm.”/tvklan.al

 






Të ngjashme