Dorëzohet autori i dyshuar i vrasjes së Vilson Tafçiut
29-vjeçari Noel Disha ishte shok me viktimën
Dorëzohet në Policinë e Tiranës autori i dyshuar i vrasjes së Vilson Tafçiut, krimi i ndodhur më 20 Janar në zonën e Astirit në kryeqytet. Policia njofton se dorëzimi i Noel Dishit erdhi si rezultat i trysnisë së ushtruar pas një sërë kontrollesh të pandërprera në zona dhe objekte të ndryshme dhe bashkëpunimit me familjen e tij.
29-vjeçari, i cili mban dhe dy emra të tjerë, ishte shok me viktimën, madje kishin qëndruar bashkë në Francë e Zvicër. Në njoftim e policisë thuhet se shkak i vrasjes është bërë një konflikt i çastit mes autorit dhe viktimës.
Mbrëmjen e së hënës, 28-vjeçari Tafçiu po konsumonte kafe në ambientet e një lokali në zonën e Astirit. Ai është thirrur nga autori dhe pasi ka dalë jashtë është qëlluar për vdekje me 3 plumba pistolete.
Një nga pistat ku po heton policia lidhet me të shkuarën e viktimës, pasi në 2018-n rezulton i dënuar në Francë me 1 vit heqje lirie, për shitje të lëndëve narkotike. Ai bëri 8 muaj burg dhe u dëbua drejt Shqipërisë.
Tv Klan