Drejt fundit odiseja e KLP, pritet mbyllja e procesit pas një viti
Një të njëjtën kohë kur Parlamenti mes protestash po zgjidhte si kryeprokurore të përkohshme Arta Markun në zyrat e avokatit të popullit realizohej raundi i gjashtë për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Komisioni i Shoqërisë civile ka shqyrtuar dosjet e kandidatëve që do të plotësojnë një vend në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, organi që do të zgjedhë kryeprokukurorin e ri me mandatin e plotë 7-vjeçar. Të Mërkurën me dëgjesat e kandidatëve pas më shumë se një viti pritet mbyllja e këtij procesi dhe dërgimi i kandidaturave për votim në parlament.
Zhbllokimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organit kompetent që zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar, do të përcaktojë edhe afatin e qëndrimit në detyrë të kryeprokurores së përkohshme Arta Marku. Marku do ta administrojë zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KLP.
Referuar afateve brenda të cilëve organet kompetente duhet të verifikojnë pasurinë e anëtarit nga shoqëria civile, dhe organet e vettingut të hetojnë për dhjetë anëtarët e tjerë që vijnë nga gjyqësori, prokurori i përkohshëm do të qëndrojë në detyrë jo më shumë se 90 ditë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë, gjashtë prej tyre janë prokurorë nga të gjitha nivelet e Prokurorisë. Pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë joprokurorë, 2 të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, 2 nga radhët e pedagogëve të drejtësisë dhe 1 nga përfaqësues të shoqërisë civile.
Pas konstituimit, KLP i propozon Parlamentit tre kandidatë për postin e kryeprokurorit kurse parlamenti duhet të zgjedhë njërin kandidat me 2/3 e votave.
Burimi: Klan Plus