Drejt hapjes totale nga 4 Maji
Më 18 Maj radha e bareve e dyqaneve në qendrat tregtare
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastrliu prezantoi planin e masave, që parashikon një tjetër lehtësim të ndjeshëm të masave shtrënguese. Prej 4 Majit do të zgjerohet zona e gjelbër.
“Nga data 4 Maj do të përfshihen si zona të gjelbërta bashkitë: Tropojë, Rrogozinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vajgurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë Vlorë, Selenicë”.
Manastirliu tha se duke filluar nga data 4 Maj do të lejohen dy pasagjerë familjarë në shërbimin taksi ndërqytetas, ndërsa sqaroi se do të ndryshojë edhe vetëkarantinimi i personave që vijë nga jashtë.
“Duke filluar nga data 4 Maj, personat që do të riatdhesohen dhe që janë me banim ne zonat e kuqe do të vetekarantinohen në banesë me kushte strikte dhe nën monitorim të rreptë. Ndërsa të riatdhesuarit që banojnë në zonat jeshile do të vijojnë karantinën në strukturat akomoduese të përcaktuara.
Nga 11 Maji do të lehtësohen një grup tjetër biznesesh të cilat do të hapen me protokolle rigoroze sigurie.
“Janë parukeritë, berberë, dentistë dhe dyqane në qendra tregtare. Nga java që nis do të njihen me protokollet specifike, dhe do duhet që këto subjekte të marrin masa për organizimin e shërbimit me kushtet e reja”.
Një tjetër hapje pritet të jetë pas 18 Majit, kur mund të lejohen edhe baret dhe restorantet për ambientet e hapura.
Konfirmohen kufizimet për aktivitetet sportive, kulturore e sociale dhe grumbullimet e më shumë se 5 personave. Ky vendim është marrë në përputhje me ecurinë e kurbës epidemiologjike dhe se në rast të përkeqësimit të shifrave të të infektuara do të ketë sërish rishikim të planit. Marrja e këtyre masave sipas Kryeministrit Edi Rama vjen për shkak të menaxhimit të mirë të situatës.
“Jemi vendin me numrin më të ulët të viktimave për 1 mijë banorë dhe numrin më të ulët të shtretërve dhe përdorimit të respiratorëve në Evropë”.
Rama tha se sot vendi ynë ka liruar lëvizjen dhe ka hapur më shumë biznese se të gjitha vendet e rajonit, por theksoi se qytetarët duhet të tregojnë përgjegjshmëri për të mos rikthyer shifrat e larta të pandemisë.
Tv Klan