Drejtoria e Kufirit: Pushteti vendor nuk përmbush detyrimet, reagon Kryebashkiaku i Himarës


Drejtoria e Kufirit: Pushteti vendor nuk përmbush detyrimet, reagon Kryebashkiaku i Himarës

14:40 04/08/2016

Ngjarja në plazhin e Himarës, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Kufirit në Policinë e Shtetit, Genc Merepeza erdhi si pasojë e mungesës së masave, që janë kompetencë e pushtetit lokal.

Por, duke iu referuar ngjarjes së rëndë, të ndodhur një ditë më parë në Himarë, ku një turist rus humbi jetën për shkak të goditjes nga një mjet ujor, Kryetari i Bashkisë, Jorgo Goro thotë se kjo ngjarje ka ndodhur larg zonës ku lahen pushuesit.

Për të rritur sigurinë e pushuesve dhe për të parandaluar një tjetër ngjare të rëndë, Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Delta Forcën dhe Rojen Bregdetare ka nisur një aksion për bllokimin e mjeteve ujore, pa dokumentacionin e duhur. Që në ditën e parë janë bllokuar disa mjete të tilla.

merepeza

 

Deklarata e Plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Kufirit në Policinë e Shtetit, Genc Merepeza: 

“Mund t’iu them që gjatë sezonit turistik, ne si Polici e Shtetit kemi hartuar një program pune të detajuar, duke rritur prezencën e policisë në zonat ku ushtrohet aktivitet turistik për pushuesit, jo vetëm në bregdet, por edhe në zona malore ku ka vizitorë të shumtë të cilët kalojnë pushimet.

Pjesa më e madhe e punës tonë është përqendruar në bregdet, duke patur parasysh fluksin më të madh të pushuesve në këtë zonë, duke patur parasysh numrin në rritje të mjeteve, jo vetëm të transportit rrugor, por edhe të mjeteve të argëtimit turistik në hapësirën detare.

Ne gjatë kësaj periudhe në zbatim të Vendim të Këshillit të Ministrave , siç jeni në dijeni se është ngritur një Task Forcë që administrohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit, e cila parashikon të gjitha masat që do të ndërmerren për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Të gjithë problematikën që ne kemi patur nga mosmarrja e masave në lidhje me angazhimin e pushtetit lokal në përmbushjen e detyrimeve, ne i kemi bërë të qartë edhe në takimet e Task Forcës.

Përveç kësaj, çdo Drejtori Rajonale e Kufirit është drejtuar me shkresë të gjithë pushteteve vendore për rritjen e masave të sigurisë që ka të bëjnë me perceptimin e zonave të plazheve, krijimin e koridoreve të daljes, të ngritjes së kullave të vrojtimit shtetasve që kanë nevojë për ndihmë në det.

Disa masa janë marrë në lidhje me ngritjen e kullave të vrojtimit, si në Durrës, Pogradec, por ka mangësi të tjera, psh. nuk janë vendosur koridoret e daljes së mjeteve të argëtimit në det, nuk janë vendosur kufizuesit deri në 300 metra, siç e parashikon VKM-ja. Gjithashtu në disa zona ne nuk gjejmë as vende për ankorimin e këtyre mjeteve të argëtimit.

Ne kemi nisur shkresa jo vetëm Bashkisë Himarë, i kemi nisur Bashkisë Vlorë, Bashkisë Sarandë, i kemi nisur Bashkisë Pogradec, Durrësit, gjithashtu edhe në Shkodër, lidhur me problemin e plazhit të Velipojës.

Por, nuk ka patur reagim. Një reagim të fundit e kemi nga Bashkia e Vlorës, sot ka mbërritur në sekretarinë e  Drejtorisë Vendore të Kufirit në Vlorë, ku jep sqarimet e saj për masat që ka marrë për monitorimin e plazheve.

Është një detyrë që duhet ta kryejmë të gjithë dhe duhet të aktivizohemi të gjithë, nëse duam që sezoni të shkojë mbarë.

Për hir të vërtetës deri në këtë periudhë ne e kemi patur të monitoruar situatën dhe vazhdojmë ta kemi, prandaj unë pushuesve u bëj thirrje që të jenë të qetë për pushimet e tyre.

Aksidente ndodhin, rasti në fjalë është në hetim dhe unë nuk mund të flas më tepër, por sipas informacioneve paraprake që kemi, kjo ngjarje ka ndodhur në thellësi të ujërave dhe jo në breg siç është dhënë në media. Nga personi që është i dyshuar i është dhënë ndihma shtetasit të huaj dhe është nxjerrë në breg.

Mjeti për të cilin bëhet fjalë, ka qenë i pajisur me të gjithë dokumentet që duhet të ketë një mjet lundrimi argëtues (siç e quajmë ne).

Nga policia kufitare e stacionit Dhërmi nuk është lejuar të dalë në det për arsye se në dokumentacion kishte mungesën e siguracionit të mjetit. Në rastin konkret, ky shtetas ka dalë pa lejen e policisë kufitare në det.

Në raste të tilla, përpos ngjarjes që nëse vërtetohet se ai është autori, ka penalitete të tjera, por në raste kur këto mjete dalin pa leje në det, ka gjobë që varion nga 10 mijë lekë të reja deri në 50 mijë lekë dhe në rastin më të keq është bllokimi i mjetit.

Ka dy verisone, një version që është i shtetasit që e ka vërtetuar që thotë se ka qenë duke lundruar një milje larg bregut, por edhe nga dëshmitarë okularë që janë shprehur se mjeti ka qenë rreth gjysmë milje në breg. Nuk ka informacione nga deklaratat e dëshmitarëve okularë se ai është autori.

Shtetasi rus kishte ardhur për pushime me datën 24 Korrik, ku ka hyrë nga pika e Kalimit në Qafë Thanë bashkë me familjen, për të kaluar pushimet në Shqipëri."/tvklan.al






Të ngjashme