Drejtuesit grek të AMC paraqesin arritjet në Shqipëri – (12 Maj 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Nëntë muaj pas privatizimit nga Cosmote dhe Telenor, drejtuesit grek të kompanisë shqiptare AMC, kanë dalë sot për herë të parë në një konferencë shtypi për të treguar arritjet dhe ecurinë e punës së tyre. Presidenti Oktapodas, prezantoi investimet që janë bërë në vendin tonë, në një sallë të hotel Rognerit, ku kishte më shumë gazetarë grek të ardhur nga Athina me sponsorizimet e AMC-së, sesa gazetarë shqiptarë.
AMC u ble një vit më parë nga Cosmote dhe Telenor në shifrën 85.6 milion dollarë. Në ato kohë ishin të abonuar vetëm 15 mijë klientë, ndërsa sot kur funksionon edhe shërbimi Albakarta, renditen rreth 108 mijë klientë. Drejtuesit e AMC, gjatë paraqitjes së rezultateve të tyre, nuk dhanë asnjë shpjegim për tarifat e larta që janë në Shqipëri, si dhe për shërbimin jo cilësor që ofrojnë. Përsa i përket politikës së çmimeve dhe uljes së tarifave, deri tani AMC nuk e merr përsipër një gjë të tillë, kohë që do të zgjasë deri në fillimin e punës së operatorit të dytë Vodafon, blerë po nga kompani greke./tvklan.al