Drita Pelingu, jeta (2009)


Drita Pelingu, jeta (2009)

Autori: Blendi Fevziu

22:43 21/01/2009

Ajo është një prej figurave emblematike të kinematografisë shqiptare. Aktore, regjisore dhe një prej pedagogeve të shquara të Akademisë së Arteve Drita Pelingu. E ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Drita Pelingu rrëfeu jetën dhe karrierën e saj 62-vjeçare.

“Karriera ime ka filluar më 1945-ën dhe ndoshta vazhdon edhe sot përderisa unë akoma jam në skenë dhe në aktivitet. Mendoj se është pikërisht puna ajo që më ka mbajtur në këtë gjendje. Nga puna unë nuk ndjej lodhje, do të lodhesha po të rrija në shtëpi. Gjë që s’kam pasur kurrë kohë që ta bëj. Ditët e mia nuk janë të barabarta, variojnë në varësi të ngarkesës. Këtë periudhë kam qenë pushim, por sërish e mbingarkuar. Në fund të qershorit dhamë provimet me kursin e tretë të regjisurës, provime të cilat shënuan edhe largimin tim nga Akademia pas 32 vitesh. Mendova se kishte ardhur koha të shkëputesha sepse ka pedagogë të rin j që kanë ardhur. Një jetë njerëzore përmban uljet dhe ngritjet e saj. Dhe jeta ime si gjithë të tjerët i ka pasur këto. Unë kam lindur më 3 Dhjetor të 1926-ës, një jetë e gjatë  që përmban në vetvete shumë evenimente. Por pavarësisht ngjarjeve të cilat shumë herë kanë qenë tronditëse, mendoj se kam kaluar mirë. Kam gjetur forca tek vetja ime që ti superoj këto situata dhe të dal e fituar. Kur vendosa të shkoj në shkollën e teatrit, reagimi i familjes ka qenë i tmerrshëm. Unë vajta pa dijeninë e tyre. Ata donin që unë të mbaroja shkollën e lartë dhe të ikja jashtë shtetit, donin që të arsimohesha. Në kohën e shkollës dramatike unë u njoha me tim shoq që bënte pjesë në këtë grup artistik. Në atë kohë ishte shumë i rëndësishëm teatri, njerëzit ishin të lodhur, nuk kishte asnjë mjet argëtimi dhe teatri u mirëprit. Sallat tona ishin plot me spektator. Teatri në atë kohë ishte i vetmi argëtim jashtë shtëpisë. Rënia e Teatrit filloi të ndihej në pas shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik kur u hoqen pjesët klasike, ndërsa rëna u ndje tamam në vitet 90-të. Shndërrimet e mëdha sjellin pasoja dhe kjo pasoj nuk ishte vetëm në teatër, por në të gjitha fushat”, tregoi Pelingu./tvklan.al  






Të ngjashme