Droga e Kavajës, grupi i shtrirë në disa qytete


Droga e Kavajës, grupi i shtrirë në disa qytete

15:47 19/07/2017 https://youtu.be/a1HkCtUfp5s

Grupi i cili qëndron pas 1.3 tonëve kanabis të sekuestruar në Kavajë në tentativë për t’i trafikuar në Itali është një ndër më të strukturuarit dhe i shtrirë në disa qytete të vendit. Anëtarët njihen dhe për më tepër kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin. Droga sipas hetuesve sigurohej në qytetet e Tepelenës dhe Vlorës.

Grupi hetimor po punon për të sqaruar nëse ngarkesa që u kap të premten ishte e para që do nisej nga bregdeti i Kavajës apo ka patur dhe herë të tjera ku është trafikuar kanabis. Gjithashtu po verifikohet veprimtaria e të arrestuarve dhe të shpallurve në kërkim ne Vlorë.  Sipas hetuesve grupi ku u arrestuan Joni Sadikaj, Roland Hysenbelliu dhe Kejvi Hajdari si dhe u shpallën në kërkim 3 te tjerë kishin ngritur një flotë me makina që përdoreshin për transportin e drogës nga Tepelena deri në Plazhin e Gjeneralit.

Por ajo që bie në sy është që makinat nuk janë në pronësi të tyre. Gjithashtu kishin siguruar edhe një gomone me të cilët do të trafikonin drogën drejt Italisë. Ndërsa për dy të arrestuarit e tjerë Arvis Muçajn dhe Aristotel Kasajn, po verifikohet roli i tyre.

Dy të rinjtë nga Vlora kanë mohuar të kenë lidhje dhe njohje me tre të arrestuarit e tjerë. Por makina ku u gjeten 300 kilogramë ishte në pronësi të Kasaj, i cili ia kishte shitur Muçajt, por pa kryer procedurën e kalimit të pronësisë. Ndërsa Muçaj nga ana e tij ia kishte shitur një personi nga Vlora me emrin E. Sina, i cili është shpallur ne kërkim. Për prokurorinë një nga drejtuesit e këtij grupi është pikërisht ky shtetas. /Tv Klan






Të ngjashme