Anija siriane “dezerton” nga Durrësi


Anija siriane “dezerton” nga Durrësi

10:30 07/07/2018

Një anije tregtare siriane e ngarkuar me 500 ton kripë u largua nga porti i Durrësit rreth orës 02:00 të mëngjesit të së shtunës pa marrë leje nga autoritetet portuale. Ajo kishte sjellë nga Egjipti 6 mijë ton kripë për llogari të një biznesi në Durrës.

Biznesmeni shqiptar pretendoi se sasia prej 500 ton kripë ishte e lagur dhe refuzoi ta merrte. Anija “SEASCANER” kishte 3 ditë që ishte ankoruar në radën e portit, pasi nuk kishin përfunduar proceduarat për të depozituar ngarkesën në hambar.

Por pas konfliktit midis palëve anija doli nga kalata ku shkarkoi mallin në radën e jashtëm të portit.  Më pas u largua pa njoftuar. Ky veprim ka ngritur ndryshime se në bordin e saj mund të ketë patur mallra të tjera përveç ngarkesës së deklaruar.

Sipas informacioneve më të fundit, anija është identifikuar në ujërat kroate dhe autoritetet kufitare shqiptare i kanë kërkuar homologëve kroatë dhe atyre italianë ta ndalojnë atë.

Tv Klan






Të ngjashme