Durrësi pa ujë – (02 Qershor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Ka mëse 6 ditë që mungesa dhe bllokimi i ujit të pijshëm në shumë zona të qytetit të Durrësit ka krijuar një situatë të vështirë. Rreth 400 mijë banorë të Durrësit e Kavajës kanë mbetur pa ujë si shkak i difekteve që shkaktohen nga energjia elektrike në stacionin e Fushë Kuqes.
Ndërkohë kjo situatë jo vetëm ka alarmuar qytetarët por dhe Pushtetin Lokal. Për këtë problem për TV Klan prononcohet Kryebashkiaku i Durrësit, zoti Arqile Gorea.
Arqile Gorea, kryetari i Bashkisë Durrës:- “Do të thoja që problemi i ujit nuk është se ka zanafillën para një jave, por problemi i ujit është bërë tashmë një legjendë në qytetin e Durrësit. Do thoja që ka vera të tëra të mos themi dhe gjatë sezonit të dimrit nga aksidentet që kanë ndodhur në Ujësjellës që qyteti i Durrësit ndodhet në vorbullën e mungesave të ujit. Unë do thoja se ka ardhur tamam koha që të hiqet dorë nga pingpongu i përgjegjësive dhe duhet menduar seriozisht për qytetarët e Durrësit, për ujin në qytetin e Durrësit. Sepse po ta shikojmë qytetin e Durrësit në këto vitet e fundit ka një rritje popullsie rreth trefish, nga 90 ka shkuar në 235 mijë banorë. Këta që të gjithë janë konsumatorë uji. Po t’i shtojmë dhe ndërhyrjet e paligjshme në rrjet do të thoja që Durrësi ndodhet përpara katastrofës së ujit”./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj