Dy mijë familje do përfitojnë bonuse qiraje
Veliaj: Familjet me banesa të pabanueshme të aplikojnë për qira 1-vjeçare
Dy mijë kuota është numri i familjeve që do të përfitojne bonusin e qerasë nga Bashkia Tiranë. Nga qendra sociale në kombinat, kryebashkiaku Erion Veliaj ftoi qytetarët, banesat e të cilëve janë bërë të pabanueshme, të përfitojnë nga mundësia që ofron Bashkia e Tiranës për të aplikuar sa më parë për qira 1 vjeçare, derisa të zgjidhet përfundimisht çështja e strehimit të tyre.
“Duke qenë bashkë dhe duke mbaruar të gjitha detyrimet e para të emergjencave, do të kemi kohë që të përkushtohemi tek rindërtimi. Kemi çuar formularët për bonusin e qirasë në njësitë administrative, edhe tek Njësia 6. Pasi të mbarojmë drekën, secili do të shkojë ta firmosë; pra, kujt i është shpallur shtëpia e pabanueshme, duhet të plotësojë formularin dhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të kësaj jave, jemi të përgatitur të paguajmë deri në 2 mijë familje. Kemi më pak, por deri në 2 mijë kemi marrë masat në buxhet, që t’i paguajmë një qira, me çmimin e tregut, pa asnjë diferencim”.
Për kreun e bashkisë , ndonëse qendrat sociale do të jenë hapura cdo ditë, familjet e prekura nga tërmeti duhet të rifillojnë jetën normale nëpër banesa me qera.
“Qendrat sociale do të jenë hapur. Pra, nëse keni nevojë për një vakt, për batanije, prapë do jenë hapur, por ama jetesa në qendrat sociale është me masë. Se po ndenjëm tërë kohën sikur jemi në krizë, atëherë nuk do na dalë psikoza e krizës gjithë jetën. Kurse kur kuptojmë se kriza vazhdon një javë dhe javën tjetër fillojmë sistemimin në apartamente me qiratë e e paguara nga bashkia, na jep kohë 6 muaj, një vit, një vit e gjysmë, deri sa të bëjmë gati një zgjidhje përfundimtare, dhe kjo është mënyra më e mirë”.
Deri tani dhjetra familje të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, në kryeqytet janë strehuar në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës.
TV Klan