Dy në pranga…
Dy persona kanë përfunduar në pranga në Egjipt, pasi ndihmuan dy turistë për të realizuar një fotografi tejet eksplicite në Piramidën e madhe të Gizës. Dy danezët u ngjitën në vendin 4 500 vjeçar, pinë duhan dhe u argëtuan duke shijuar pamjen e qytetit të Kajros, ndërkohë që ishin lakuriq.
Imazhet e këtij incidenti shkaktuan skandal në vend, pasi u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale. Megjithatë çifti në fjalë mohoi se kishin kryer marrëdhënie seksuale.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja “Mirror”, në pranga përfundoi i zoti i një deveje, i cili i çoi turistët ilegalisht tek vendi, kundrejt një pagese prej 180 paundësh, më 2 Nëntor. Ndërsa personi tjetër që u arrestua ishte një grua, e cila i lidhi turistët me të zotin e devesë. Të dy tashmë pritet që të përballen me drejtësinë, pasi pranuan rolin e tyre në këtë incident.
Të gjithë aventurën e tyre nudo, turistët e xhiruan në një video që u postua në YouTube dhe që deri më tani është parë mbi 4.5 milionë herë dhe duke shkaktuar një indinjatë të thellë tek egjiptianët.
“Një civilizim 7 mijë vjeçar që kthehet në shtrat
“, shkruajti një përdorues në Twitter.
Duke folur për mediat vendase, një prej turistëve danezë tha se kishte ëndërruar prej vitesh që të ngjitej tek piramidat dhe të realizonte foto nudo. Ai tregoi se vajza në foto nuk ishte e dashura e tij dhe se në të vërtetë ishte vetëm një pozim dhe nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale.
Piramida e madhe (Keopsit) është më e madhja në Giza, plot 146 metra e lartë dhe është struktura e vetme e mbijetuar e 7 mrekullive të botës antike. Të hipësh mbi piramidat është e ndaluar në Egjipt.
/tvklan.al