Dy të plagosur në Vlorë e Sarandë
Dy persona mbetën të plagosur këtë të martë, në dy ngjarje të ndryshme të ndodhura në Sarandë e Vlorë. Burime zyrtare të policisë thonë se në Sarandë mbeti i plagosur me armë zjarri një 63-vjeçar. Ngjarja dyshohet se ndodhi aksidentalisht. I plagosuri u qëllua me çifte nga një bashkëmoshatar, që mendoi se kishte përballë një kafshë të egër.
“Në lagjen nr.2 Sarandë pranë vendit të quajtur “Antenat”, shtetasi Xh.M., 63 vjeç, banues në Ksamil, ka plagosur me armë gjahu “çifte” shtetasin Sh.S., 63 vjeç, banues në Ksamil. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht pasi shtetasi Xh.M ka menduar se ka patur përballë kafshë të egër. Po punohet për sqarimin e rrethanave të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa në Vlorë, rreth orës 10:54 në spitalin e këtij qyteti shkoi i plagosur me thikë një 32-vjeçar. Ngjarja ndodhi në ambientet e një bilardoje, në rrethana ende të paqarta.
“Rreth orës 10:54, në Spitalin e Vlorës ka shkuar i dëmtuar me mjet prerës shtetasi E.Sh., 32 vjeç, banues në Vlorë, i cili po merr ndihmë mjekësore. Dyshohet se 32 vjeçari është plagosur në ambientet e një bilardoje në lagjen “Isa Boletini” Vlorë. Grupi hetimor po kryen hetimet përkatëse për zbardhjen e ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit”, sqaron policia./tvklan.al