2 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut
Një çift bashkëshortësh nga Dibra ishin kthyer nga Italia
Një çift bashkëshortor nga Dibra të moshës 68 dhe 62 vjeç janë dy rastet e reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Ata me autobus së bashku me 40 të tjerë, kanë udhëtuar nga Breshia e Italisë kurse në vend kanë hyrë më 27 Shkurt. Më 2 Mars janë paraqitur tek mjeku amë, i cili nuk kishte identifikuar shenja të sëmundjes, kurse gjatë ditës së sotme sërish janë paraqitur në Spitalin e Dibrës ku kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar se dy të prekurit kanë kontaktuar me disa anëtarë të familjes së tyre. Ndaj tyre dhe udhëtarëve tjerë të autobusit po merren masa parandaluese.
“Në bashkëpunim me MPB-në, tashmë janë gjetur emrat, numrat amë të të gjithë udhëtarëve në autobusin me të cilin kanë udhëtuar të prekurit. Në këtë moment bëhet identifikimi i tyre dhe gjatë natës dhe ditës së nesërme pas identifikimit dhe locimit të tyre konform gjendjes së tyre shëndetësore dhe kontakteve që i kanë patur do të merren masa përkatëse”
Pacientët e prekur, sonte me makinë speciale do të transferohen në Klinikën Infektive në Shkup. Ministri Filipçe njoftoi se gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe se kanë një formë të lehtë të infektimit të rrugëve të frymëmarrjes. Ministri Filipche njoftoi se autobusi kishte ndaluar në Kumanovë, Shkup dhe Dibër dhe se në këto vende për momentin po gjurmohet për bashkëudhëtarët tjerë të dy të prekurve.
Tv Klan