Dyshime mbi marrëveshjen e paqes në Afganistan


Dyshime mbi marrëveshjen e paqes në Afganistan

09:43 02/03/2020

Presidenti afgan, Ashraf Ghani ka vënë në dyshim një ndër parakushtet kryesore për negociatat ndërmjet Qeverisë afgane dhe talebanëve, pasi këta të fundit më 29 Shkurt nënshkruan marrëveshje me zyrtarët amerikanë, që ka për qëllim dhënien fund të luftës 18-vjeçare në Afganistan.

Ghani ka deklaruar sot se qeveria e tij nuk ka dhënë asnjë zotim sa i përket lirimit të 5,000 të burgosurve talebanë, ashtu siç thuhej në marrëveshjen e nënshkruar më 29 Shkurt.

Nuk ka asnjë zotim për lirimin e 5,000 të burgosurve”, tha Ghani, raporton AFP, duke shtuar se “kjo është e drejtë dhe e vullnetit të popullit afgan. Kjo nuk mund të vendoset si parakusht për bisedime”.

Në marrëveshjen e arritur ndërmjet SHBA-së dhe talebanëve thuhet se afro 5,000 të burgosur talebanë, që mbahen nga autoritetet afgane dhe mijëra të burgosur të tjerë që mbahen nga talebanët, do të “lirohen më 10 Mars, në ditën e parë të bisedimeve ndër-afgane”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se trupat amerikane do të “largohen menjëherë” nga Afganistani.

Sot, do të nisë menjëherë tërheqja e trupave”, deklaroi më 29 Shkurt, Presidenti Trump.

“Askush nuk duhet ta kritikojë këtë marrëveshje”, tha Trump, duke shtuar se ai do të takohet personalisht me liderët talebanë në një të ardhme, por nuk dha më shumë detaje.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 13,00 trupa në Afganistan dhe sipas planit, ky numër do të zvogëlohet në 8,600, ndërkaq deri në vitin 2021, të gjitha trupat amerikane parashikohet që të largohen nga Afganistani.

Në marrëveshjen e arritur më 29 Shkurt, e cilësuar si marrëveshje historike, SHBA-ja është pajtuar që të tërheqë trupat amerikane nga Afganistani brenda 14 muajsh, nëse talebanët i përmbahen marrëveshjes.

Dy palët janë zotuar se do të reduktojnë dhunën në Afganistan dhe talebanët kanë rënë dakord që të zhvillojnë bisedime direkte me qeverinë në Kabul, gjë që deri më tani kishin refuzuar ta bënin.

Sipas kësaj marrëveshjeje, talebanët po ashtu janë zotuar që të ndalojnë operimin e grupeve terroriste, si Al-Kaeda, në territoret që ata kontrollojnë në Afganistan.

Lufta në Afganistan nisi në vitin 2001, disa javë pas sulmeve të 11 Shtatorit në SHBA. Atë kohë, Presidenti amerikan, George W.Bush kishte urdhëruar bombardimet në Afganistan dhe më pas pushtimin e këtij vendi. /REL






Të ngjashme